Që nga viti 2013, kur Kroacia u bë anëtarja e 28-të e BE-së, dera e zgjerimit ka mbetur formalisht e hapur për Ballkanin Perëndimor. Megjithatë, kushtet e integrimit janë bërë më të rrepta, ndërsa vendet ende përballen me konflikte etnike dhe dallime të mëdha në standardet ekonomike e qeverisë.
Një analizë e fundit tregon se Mali i Zi dhe Shqipëria kanë avancuar më shpejt në këtë proces. Mali i Zi ka hapur negociatat dhe ka mbyllur përkohësisht 16 nga 33 kapitujt, me objektiv anëtarësimin në vitin 2028. Shqipëria ka shënuar përparimin më të shpejtë rajonal në dy vitet e fundit, duke hyrë në fazën e mbylljes së negociatave pasi ka hapur të gjithë kapitujt. Qeveria shqiptare synon mbylljen e negociatave deri në fund të 2027-ës dhe anëtarësimin rreth vitit 2030.
Nga ana tjetër, Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar nga çështjet politike dhe etnike, pa nisur ende negociatat, dy dekada pas Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Bllokimi vjen nga kërkesa për ndryshime kushtetuese për të drejtat e komunitetit bullgar, një kusht i refuzuar nga qeveria. Serbia vazhdon negociatat, por me ritme të ngadalta, kryesisht për shkak të normalizimit të marrëdhënieve me Kosovën, sundimit të ligjit dhe mosharmonizimit me politikën e jashtme të BE-së.
Kosova mbetet më larg anëtarësimit, pa statusin e vendit kandidat dhe me pengesa kryesore si mosnjohja nga pesë shtete anëtare të BE-së dhe dialogu me Serbinë. Bosnjë-Hercegovina, megjithëse mori statusin kandidat në 2022 dhe miratimin për hapjen e negociatave në 2024, ende përballet me sfida të mëdha institucionale.