Afati i katërt për zbatimin e reformave në kuadër të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor ka përfunduar më 30 qershor. Shtetet përfituese duhet të dorëzojnë raportet e progresit deri më 15 korrik. Komisioni Evropian do të analizojë raportet për të vendosur mbi disbursimin e fondeve.
Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, theksoi se fondet ndahen vetëm pas zbatimit të plotë të reformave. Deri tani, 78% e reformave të raportuara në tre ciklet e para kanë shënuar përparim ose janë përmbushur. Një vend ka një vit kohë për të përmbushur detyrimet, përpara se fondet të ridrejtohen tek vende të tjera.
Shqipëria, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut kanë avancuar më shumë. Shqipëria ka zbatuar 33 hapa reformues, duke përfituar mbi 212 milionë euro nga një total prej 922 milionë eurosh. Mali i Zi ka realizuar 32 reforma, duke marrë afro 90 milionë euro. Maqedonia e Veriut ka përmbushur 22 reforma dhe ka përfituar mbi 142 milionë euro.
Kosova ka marrë vetëm fondet e parafinancimit, rreth 61 milionë euro, pa përmbushur ende asnjë hap reformues. Bosnje e Hercegovina nuk ka marrë asnjë pagesë nga Plani i Rritjes dhe humbi 108 milionë euro vitin e kaluar për shkak të vonesave. Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor ka një buxhet prej 6 miliardë eurosh për periudhën 2024-2027.