Babai i Neymar, njëherësh menaxher i të drejtave të imazhit të tij përmes kompanisë NR Sports, iu drejtua të birit me fjalë zemre. Ai e cilësoi karrierën e Neymar si “një udhëtim të shkëlqyer, sfidues dhe shpesh të dhimbshëm, por pafundësisht të bekuar”.

Neymar da Silva Santos kujtoi fëmijërinë e djalit me top në këmbë dhe theksoi se talenti i tij ishte shoqëruar me një qëllim më të madh. Ai vuri në pah vendimet e vështira dhe sakrificat e bëra gjatë viteve, duke besuar se “Zoti ka qenë gjithmonë në kontroll” dhe ka udhëhequr çdo hap.

Mesazhi përmbante një thirrje për Neymar që të vazhdojë të luajë futboll, të gjejë sërish gëzimin në fushë dhe të mos ngarkojë veten me kritika apo pritshmëri. “Disa gjëra u përkasin njerëzve, por disa vendime i përkasin vetëm Zotit,” theksoi ai, duke shtuar se “një vendim i marrë sot nuk e përcakton të gjithë historinë”.

Babai i futbollistit e inkurajoi Neymar të kthehet të bëjë njerëzit të lumtur dhe të bëjë atë që Zoti i ka besuar që nga fëmijëria, duke përfunduar me sigurinë se “do ta bëja nga e para. Çdo udhëtim, çdo sakrificë, çdo natë pa gjumë, çdo shqetësim, çdo lutje.”