Lulzim Tanushi, avokat i disa protestuesve të ndaluar dje para Kuvendit, akuzoi policinë për mënyrën e trajtimit të katër personave në Komisariatin nr. 4. Ai deklaroi se statusi i tyre ndryshoi nga dëshmitarë në të arrestuar gjatë qëndrimit në komisariat.
Tanushi theksoi se një nga të ndaluarit kishte pësuar dhunë fizike dhe dëmtime, duke kërkuar ndërhyrjen e ambulancës për trajtim mjekësor. Sipas avokatit, këta persona fillimisht u shoqëruan për të dhënë dëshmi, si individë që mund të kishin dijeni për veprën penale, dhe jo si persona nën hetim.
Avokati shtoi se kishte biseduar me shefin e Komisariatit nr. 4 dhe kishte marrë garanci për lirimin e tyre brenda një ore. Megjithatë, pas kalimit të kohës, ai u informua se të rinjtë ishin arrestuar në flagrancë dhe do të kalonin në statusin e personave nën hetim.
Protesta e zhvilluar një ditë më parë para Kuvendit u shoqërua me tensione. Sipas të dhënave zyrtare, në total u arrestuan 19 persona.