Avokati Gentian Serjani njoftoi se ka vizituar Niko Qarkajn, një nga protestuesit e ndaluar. Sipas Serjanit, Qarkaj vuan nga epilepsia dhe ka pësuar disa kriza gjatë qëndrimit në komisariat. Mbrëmjen e djeshme, gjatë një prej krizave, Qarkaj nuk mori ndihmë mjekësore dhe pretendon se është dhunuar fizikisht nga policia, duke mbetur i gjakosur.
Qarkaj ka nisur grevë urie që nga momenti i shoqërimit. Avokati Serjani kërkon lirimin e menjëhershëm të tij dhe nisjen e një hetimi të plotë e të pavarur për veprimet e dhunshme të pretenduara ndaj tij nga efektivët e policisë.