Të gjithë personat e shoqëruar pas ngjarjeve të fundit ndodhen aktualisht në paraburgimin te “Mine Peza”. Një prej tyre, Romario Dushi ose Niko Qarkaj, sipas avokatit, ka probleme serioze shëndetësore për shkak të epilepsisë. Ai ka qëndruar në spital deri në orët e para të mëngjesit për shkak të krizave epileptike.

Avokati Serjani ka bërë kërkesë që ky person të mos mbahet më gjatë në paraburgim, duke theksuar gjendjen e tij shëndetësore. Ai mbron interesat e Romario Dushit dhe Niko Qarkajt, të cilët janë arrestuar në orën 09:00, para nisjes së protestës, pas asaj që ai e cilëson si ngacmime nga truprojat e ish-ministrit.

Akuzat e ngritura kundër të shoqëruarve përfshijnë pjesëmarrjen në tubime të paligjshme, shkatërrimin e pronës dhe prishjen e qetësisë publike. Serjani deklaroi se akuzat janë identike për të gjithë, edhe pse mund të ekzistojnë pamje filmike që dëshmojnë role të ndryshme të secilit. Avokati ka kërkuar nga prokuroria një vlerësim të rrethanave ligjore dhe shprehet se gjykata mund të konstatojë paligjshmërinë e masave të arrestit.