Institucioni i Avokatit të Popullit njoftoi se verifikimet paraprake nuk kanë gjetur prova për dhunë ndaj qytetarit në ambientet e Bllokut të Sigurisë, siç u pretendua më parë. Pas sinjalizimit, katër ndihmës komisionerë kryen hetime në QSUT dhe Bllokun e Sigurisë.
Gjendja shëndetësore e qytetarit fillimisht nuk lejoi intervistimin në QSUT. Më pas, ai u transferua në Spitalin e Traumës, ku dha deklarime. Dëshmia e tij me shkrim, marrë një ditë më parë, nuk përmbante asnjë pretendim për dhunë gjatë ndalimit, shoqërimit, apo qëndrimit në komisariat dhe Bllokun e Sigurisë.
Avokati i Popullit kërkon nga Prokuroria dhe Gjykata rishqyrtimin e masës së sigurisë. Institucioni vlerëson se mbajtja e tij në qeli bie ndesh me nenin 3 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, për shkak të krizave të përsëritura shëndetësore të qytetarit.
Verifikimet nga Avokati i Popullit janë në vazhdim, përfshirë kërkesën për pamje nga kamerat e sigurisë. Rezultatet përfundimtare do të bëhen publike pas analizimit të plotë.