Institucioni njoftoi se hetimet synojnë verifikimin e fakteve dhe rrethanave të rastit. Do të vlerësohet nëse janë respektuar standardet kushtetuese, ligjore dhe ndërkombëtare për mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut gjatë trajtimit të personave të arrestuar.

Disa qytetarë të arrestuar nga Policia e Kosovës kanë paraqitur ankesa. Ata pretendojnë se janë ekspozuar ndaj dhunës fizike dhe psikike gjatë transportimit në stacion policor. Gjithashtu, sipas ankesave, janë cenuar edhe të drejta të tjera të garantuara me Kushtetutë dhe ligje në fuqi.

Në kuadër të këtyre hetimeve, Avokati i Popullit do të mbledhë informacione dhe dokumentacion nga autoritetet kompetente. Këto veprime ndërmerren në përputhje me mandatin kushtetues dhe ligjor të institucionit.