Avokati i Popullit reagoi këtë të shtunë, duke njoftuar monitorimin e situatës së protestuesve të ndaluar pas incidenteve pranë Kuvendit. Institucioni ka verifikuar dokumentacionin e ndalimeve dhe shoqërimeve që nga dita e parë.
Deri më tani, janë administruar 10 ankesa zyrtare për tejkalim të forcës gjatë ndalimit apo shoqërimit nga punonjësit e policisë. Këto ankesa janë në proces verifikimi administrativ. Avokati i Popullit thekson se, nëse vërtetohen, do t'i ndjekë me të gjitha mjetet ligjore që i njeh mandati i tij.
Ekipet e Avokatit të Popullit kanë qenë të pranishme në komisarietet e Tiranës dhe në Spitalin e Traumës, ku janë intervistuar personat e ndaluar dhe të lënduar. Po ashtu, Mekanizmi Kombëtar për Parandalimin e Torturës zhvilloi verifikime në Bllokun e Sigurisë të premten.
Nga intervistat e zhvilluara deri të premten, asnjë prej protestuesve të ndaluar nuk ka paraqitur ankesë për ushtrim dhune gjatë qëndrimit në Bllokun e Sigurisë. Megjithatë, pas një pretendimi të ri për dhunë ndaj një qytetari brenda Bllokut të Sigurisë këtë të shtunë, Avokati i Popullit angazhoi menjëherë dy ekipe. Njëri ekip do të intervistojë qytetarin në spital, ndërsa tjetri do të zhvillojë verifikime në Bllokun e Sigurisë. Gjetjet e plota do të bëhen publike pas përfundimit të verifikimeve.