Tanushi, i cili përfaqëson katër nga personat e arrestuar, deklaroi se klientët e tij nuk kanë kryer vepra penale. Katër të arrestuarit, të ndodhur në Komisariatin nr. 4, akuzohen për prishje të qetësisë publike dhe shkatërrim prone. Avokati theksoi se ata ishin në një lokal në momentin e ngjarjes.
Sipas Tanushit, incidenti filloi kur të rinjtë panë ministrin Ulsi Manja, i cili, siç pretendon avokati, i ofendoi dhe provokoi verbalisht. Më pas, të rinjtë reaguan duke hedhur vezë drejt ministrit. Avokati shtoi se truproja e Manjës dhunoi Gent Prognin gjatë incidentit.
Tanushi deklaroi se ka pamje ku truproja godet Prognin. Ai shtoi se edhe pas ndërhyrjes së policisë, Progni u dhunua, madje edhe pasi ishte prangosur. Një punonjës policie e goditi Prognin nga mbrapa me shkelma. Avokati njoftoi se do të bëjë kallëzim në Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore për identifikimin e efektivit përgjegjës.