Avokati Erald Aga ka reaguar ashpër ndaj dhunës së ushtruar nga policia gjatë protestës së zhvilluar para Parlamentit. Sipas tij, forcat e rendit vepruan me paramendim dhe me forcë joproporcionale, duke shkelur të drejtat kushtetuese të qytetarëve.
Aga theksoi se policia nxiti qëllimisht dhunën. Ai kërkoi analizimin e pamjeve filmike për të identifikuar punonjësit e policisë civilë që provokuan situatën. Reagimi i policisë ishte i disproporcionuar; përdorimi i gazit lotsjellës dhe sprajit të fortë, që qytetarët e përshkruan si të ngjashëm me atë për arinjtë, erdhi në përgjigje të hedhjes së vezëve.
Avokati denoncoi heqjen e qëllimshme të rrethimit të sigurisë pranë Parlamentit nga policia, me qëllim sulmin ndaj protestuesve. Ai u bëri thirrje qytetarëve të kenë numrin e një avokati dhe të mos bëjnë deklarata në komisariat pa praninë e tij, duke u bazuar te nenet 34/a dhe 34/b të Kodit të Procedurës Penale.
Aga ftoi të gjithë qytetarët e dëmtuar të bëjnë menjëherë kallëzim penal ndaj drejtuesve të policisë përgjegjës për këto veprime.