Inspektimet e AUV-së, të njoftuara të enjten, zbuluan se operatori ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit me autorizim përkatës, por ka instaluar edhe linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera ndihmëse. Kompania nuk posedon autorizim të veçantë për prodhimin dhe përpunimin e produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi për qëllimet e deklaruara në etiketim. AUV mori mostra të qumështit për analiza laboratorike.

Ministri i Bujqësisë, Armend Muja, konfirmoi se inspektimet u kryen tek kompania “Vita”, duke theksuar se siguria ushqimore kërkon zbatim të barabartë të ligjit. Ai shtoi se kontrollet synojnë mbrojtjen e interesit publik dhe sigurinë e konsumatorëve. Drejtori gjeneral i “Vitës”, Artan Spahija, njoftoi mbylljen e qumështores dhe ndalimin e pranimit të qumështit nga fermerët, duke theksuar se ky vendim do të jetë në fuqi derisa institucionet të dalin me një vendim dhe rezultate publike. AUV nuk ka marrë masa për mbylljen e subjektit, por ka lënë vendim që kompania të respektojë legjislacionin. Vlerësimet dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas rezultateve laboratorike.