Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV) kreu një inspektim të jashtëzakonshëm në një subjekt që përpunon qumësht dhe prodhon produkte qumështi. Gjatë këtij inspektimi, u konstatuan mospërputhje me legjislacionin aktual.
Qëllimi i kontrollit ishte verifikimi i përputhshmërisë së operatorit me kërkesat ligjore dhe standardet e sigurisë ushqimore. Inspektorët morën mostra të qumështit UHT, qumështit pluhur dhe vajit të palmës, të cilat u dërguan për analiza laboratorike.
Subjekti ushtron veprimtari të përpunimit të qumështit me autorizim. Megjithatë, u zbulua se objekti kishte instaluar linja për prodhimin e produkteve me origjinë shtazore dhe me bazë qumështi, duke përdorur qumësht pluhur, vaj palme dhe lëndë të tjera. Për këto linja të produkteve me bazë yndyrash bimore dhe proteinash qumështi, subjekti nuk posedon autorizim të veçantë.
AUV ka theksuar se në këtë fazë nuk është marrë asnjë vendim për mbylljen e subjektit. Inspektimi konsistoi vetëm në verifikim dhe marrje mostrash. Vlerësimi i plotë dhe konstatimet përfundimtare do të bëhen pas pranimit të rezultateve laboratorike. Subjektit i është kërkuar të respektojë legjislacionin në fuqi dhe udhëzimet e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.