AUV ka sqaruar se nuk ka lëshuar asnjë email me rezultate, pasi analizat laboratorike të mostrave të qumështit të marra nga Inspektorati më 2 korrik 2026, ende nuk kanë përfunduar.
Institucioni theksoi se lajmet me rezultate të tilla nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Agjencisë. AUV njoftoi se rezultatet zyrtare do të publikohen vetëm pas përfundimit të të gjitha analizave laboratorike dhe verifikimit nga autoritetet kompetente.
Kjo është bërë e qartë edhe gjatë një takimi të zhvilluar me përfaqësuesit e qumështores “Vita” dhe Shoqatës së Përpunuesve të Qumështit. AUV thekson se vetëm pas përmbylljes së plotë të procedurave laboratorike do të jepen konstatimet përfundimtare për mostrat e marra.
Agjencia u bëri thirrje mediave dhe opinionit publik t'u referohen vetëm komunikimeve zyrtare të institucionit, duke shmangur publikimin e informacioneve të paverifikuara që mund të dezinformojnë qytetarët dhe të dëmtojnë besimin në procesin zyrtar të kontrollit.