Kryeministri Hristijan Mickoski njoftoi se ndërtimi i autostradës Ohër–Kërçovë po përshpejtohet. Punimet kanë hyrë në fazën përfundimtare dhe po zhvillohen me dinamikë të lartë.

Mickoski deklaroi se një nga problemet kryesore të trashëguara, rrëshqitjet e dheut dhe pjerrësitë, po zgjidhen. Galeria e parë nga gjithsej 14 është përfunduar dhe asfaltuar plotësisht. Kjo galeri paraqet një vepër inxhinierike të nivelit të lartë, e domosdoshme për shkak të terrenit malor të vështirë ku kalon trasa e autostradës.

Punimet po vijojnë me intensitet të lartë edhe në tunele, ku aktivitetet ndërtimore janë në fazat finale. Këto zhvillime shënojnë një hap të rëndësishëm drejt finalizimit të projektit të autostradës.