Projekti parashikon një investim prej rreth 50 milionë eurosh. Nga totali i autobusëve, 100 do të jenë për Shkupin dhe 50 për komunat e tjera. Mjetet do të jenë me ngjyrë të kuqe ose të bardhë, dhe furnizimi përfshin edhe karikuesit e nevojshëm.
Dy thirrje të mëparshme për të njëjtin qëllim kanë dështuar. Thirrja e dytë u anulua pas ankesës së një prej kompanive pjesëmarrëse, megjithëse fillimisht ishin përzgjedhur kompanitë Elektrobus Ikarus (Hungari) dhe EVN (Austri). Ndërsa thirrja e parë, e publikuar në qershorin e vitit të kaluar, u mbyll pa sukses pasi ofertuesi i vetëm nuk i plotësonte kushtet.
Problemi i rinovimit të transportit publik është i kahershëm. Gjatë mandatit të ish-kryetares së Shkupit, Danella Arsovska, propozimi për autobusë të rinj nuk mori mbështetje në Këshillin e Qytetit. Ndërkohë, qytetarët vazhdojnë të përballen me vonesa, anulime linjash dhe defekte të shpeshta të autobusëve aktualë, përfshirë raste të zjarreve.