Auron Tare, historian dhe studiues, shkruan në rrjetet sociale se protesta, e cila tashmë ka hyrë në muajin e dytë, mund të sjellë një Shqipëri tjetër. Ai shprehet se shqiptarët kanë pasur një fat të çuditshëm, duke ngritur perandori dhe udhëhequr revolucione për të tjerët, ndërsa kanë mbetur spektatorë për vendin e tyre.

Tare thekson se shqiptarët kanë qenë mjeshtër në krijimin e historisë së kombeve të tjera, por nxënës të dobët kur vjen puna për të shkruar historinë e Shqipërisë. Ai shpreson se kjo protestë do të ndryshojë këtë dinamikë, duke i mësuar shqiptarët të luftojnë edhe për veten.

Si shembull, historiani sjell Betejën e Athinës në korrik 1822, ku dy ushtri u përplasën, me shqiptarë në të dy anët, Kapedan Jani Gura dhe Omer Pashë Vrioni. Ai vëren se Shqipëria nuk ishte në asnjërin kamp dhe se kjo ilustron tragjedinë e gjatë ku shqiptarët kanë fituar beteja për të gjithë, por jo për veten.

Tare argumenton se një komb që u fal bijtë e tij historisë së të tjerëve, nuk duhet të habitet nëse historia e tij mbetet e shkruar nga të tjerët.