Tare, përmes një shkrimi në rrjetet sociale, ka shprehur se Shqipëria vuan nga ideja se bota rrotullohet rreth saj dhe kërkon dëmtimin e saj. Sipas tij, këto deklarata shërbejnë për të shpikur armiq të jashtëm sa herë shfaqen probleme të pazgjidhshme.
Studiuesi bëri një paralelizëm me periudhën kur Shqipëria komuniste, nën udhëheqjen e Enver Hoxhës, prishi marrëdhëniet me Bashkimin Sovjetik. Ai kujtoi një bisedë me Sergej Hrushovin, djalin e ish-liderit sovjetik Nikita Hrushov. Gjatë kësaj bisede, Hrushovi kishte hedhur poshtë akuzat e Hoxhës se sovjetikët donin të shkatërronin Shqipërinë duke e lënë pa bukë dhe duke rekomanduar mbjelljen e portokalleve në vend të grurit.
Sipas Tares, pyetja e Sergej Hrushovit, “Përse Bashkimi Sovjetik do të donte ta dëmtonte Shqipërinë? Ç’interes kishte?”, mbetet aktuale. Ai nënvizoi se fuqitë e mëdha nuk harxhojnë energji për mite provinciale. Nëse kanë interesa veprojnë, në të kundërt lënë vendin të merret me hijet e krijuara nga imagjinata e vet.
Tare theksoi se problemi kryesor nuk vjen nga armiq të largët, por nga “çakenjtë tanë”, të cilët shpikin armiq të jashtëm sa herë nuk kanë përgjigje për hallet e vendit.