Organizatorët e protestave në Tiranë kanë afishuar fotografi të artistëve, duke i cilësuar si “armikë” ata që nuk kanë mbështetur publikisht kauzën. Mes tyre ishte edhe Aurela Gaçe, fotoja e së cilës u kryqëzua.
Këngëtarja theksoi se angazhimi i saj qytetar daton prej kohës kur ishte studente, duke përmendur pjesëmarrjen në protesta për armët kimike dhe shprehjen e shqetësimeve përmes këngëve. Ajo shprehu se ka qenë gjithmonë në krah të popullit dhe ka reaguar sipas mënyrës së saj.
Gaçe kritikoi ashpër përpjekjet për të imponuar mënyrën e shprehjes së dashurisë për vendin, duke e krahasuar këtë qasje me praktikat e diktaturës. Ajo shtoi se askush nuk mund t'i diktojë si ta dojë vendin e saj dhe se ky lloj mentaliteti përbën dhunë.
Artistja ndau gjithashtu shqetësimet për realitetin social në Shqipëri. Ajo përmendi prindërit pensionistë që varen nga ndihma e fëmijëve, si dhe motrën e vëllain që kanë emigruar. Gaçe shprehu dilemat për të ardhmen e fëmijëve të saj, duke theksuar se populli nuk është i lumtur dhe se dinjiteti është më i shtrenjtë se çdo gjë tjetër.