Raporti i ZKA-së për MSh-në thekson se furgonët e konvertuar në autoambulanca nuk posedonin certifikata që vërtetojnë plotësimin e standardeve teknike. Pavarësisht kësaj, komisioni pranues kishte mjaftuar vetëm me aprovimin e lëshuar nga Qendra e Automjeteve të Kosovës, pa kryer verifikime shtesë.

Gjatë një kontrolli në Qendrën Urgjente të Prishtinës në prill, u konstatua se stema, shënjimet dhe skema e ngjyrave të autoambulancave kishin filluar të dëmtohen vetëm pesë muaj pas vënies në përdorim. Po ashtu, u vunë re mospërputhje me specifikat e tjera, si gjatësia e ndarjes së pacientit, e cila ishte 2800 mm në vend të 3100 mm të kërkuara, dhe dimensionet e barelës, 1750 mm në vend të 1930x600x210 mm.

Këto automjete, të cilat janë ende në shërbim, u shpërndanë nëpër komuna gjatë qershorit, tetorit dhe nëntorit të vitit 2025, sipas deklaratës së ministrit në detyrë të shëndetësisë, Arben Vitia. Pranimi i tyre pa certifikimin e duhur cenon përputhshmërinë me specifikat teknike dhe sigurinë. Qendra e Automjeteve të Kosovës nuk ka dhënë informacione nëse të gjitha 20 autoambulancat i janë nënshtruar kontrolleve teknike.