Deputeti Halil Snopçe nga Aleanca për Shqiptarët deklaroi se partia mbështet të drejtën e diasporës për të votuar, përfshirë votimin elektronik dhe atë me postë. Megjithatë, ASH kundërshton çdo manipulim me diasporën dhe përdorimin e saj si instrument propagandistik.

Sipas Snopçes, ka një ndryshim thelbësor mes të drejtës për të votuar dhe të drejtës për të pasur një votë të barabartë. Ai theksoi se diaspora duhet të gëzojë të drejta të plota dhe të mos trajtohet si qytetarë të dorës së dytë, duke u përdorur vetëm si slogan politik apo kur janë të nevojshme votat.

Aleanca për Shqiptarët ngriti pyetjen nëse vota e diasporës do të ketë të njëjtën peshë si ajo e qytetarëve që jetojnë në Maqedoninë e Veriut. Partia kërkon një të drejtë reale, jo simbolike, ku vota e diasporës të ndikojë plotësisht në përbërjen e Kuvendit, pa krijuar iluzionin e pjesëmarrjes pa garantuar barazinë e saj.