Partia thekson se afatet e vendosura kanë kaluar, ndërsa qytetarët vazhdojnë të dëgjojnë vetëm justifikime dhe interpretime diplomatike. ASH deklaron se Qeveria premtoi përshpejtim të rrugës evropiane, por ka sjellë stagnim, duke bërë që vendi të presë raportin e radhës në vend të hapjes së kapitujve negociues.
Sipas Aleancës për Shqiptarët, partnerët shqiptarë në Qeveri, VLEN, mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë dështim. Ata theksojnë se VLEN nuk mund të fshihet pas deklaratave të përgjithshme, pasi premtuan Evropë dhe tani heshtin para bllokadës.
Maqedonia e Veriut mbetet e bllokuar në rrugën drejt BE-së për shkak të mosmarrëveshjes me Bullgarinë. Vendi duhet të bëjë ndryshime kushtetuese, duke përfshirë shtimin e bullgarëve dhe etnive të tjera në Kushtetutë, për të vazhduar përpara. Këto ndryshime kërkojnë një shumicë prej dy të tretash në Kuvend. Negociatat me BE-në nuk do të fillojnë pa u realizuar këto ndryshime, ndërsa qeveria aktuale ka deklaruar se nuk do t'i bëjë ato.
Maqedonia e Veriut filloi bisedimet qasëse me BE-në më 19 korrik 2022, pas miratimit të propozimit francez më 16 korrik 2022, me kushtin e ndryshimit të Kushtetutës. Propozimi u votua në parlament pa pjesëmarrjen e opozitës së atëhershme, e cila tani është në pushtet.