Aleanca për Shqiptarët (ASH) ka akuzuar koalicionin VLEN për dështim në përmbushjen e premtimeve parazgjedhore të prezantuara në programin "Plani 2030". Sipas ASH-së, ky program vetëpërmban prova të mjaftueshme për mungesën e rezultateve konkrete.
Në kumtesën e tyre, ASH thekson se VLEN premtoi rritje të përfaqësimit të shqiptarëve në institucione, fuqizimin e gjuhës shqipe, përfaqësim të drejtë dhe të barabartë, themelimin e Akademisë Shqiptare, zona të lira ekonomike, Erasmus shqiptar, gjashtë spitale rajonale dhe reformë shëndetësore. Gjithashtu, ishin premtuar drejtimi i njërës prej dy drejtorive kryesore të MPB-së nga një shqiptar, përfundimi i autostradës Shkup-Bllacë, subvencionimi i bizneseve të mërgimtarëve dhe lehtësira për blerjen e banesave nga çiftet e reja deri në 35 vjeç.
Dy vite pas prezantimit të këtyre premtimeve, ASH argumenton se asnjë prej tyre nuk është realizuar. Përjashtim bën autostrada Shkup-Bllacë, e cila është vetëm në fazë fillestare, pa epilog të qartë.
ASH kritikoi gjithashtu pasivitetin e VLEN-it lidhur me procesin e integrimit evropian. Gjatë kohës në opozitë, VLEN premtoi zhbllokimin e këtij procesi përmes ndryshimeve kushtetuese. Megjithatë, si pjesë e qeverisë me VMRO-DPMNE-në, ASH vëren se VLEN nuk ka ndërmarrë hapa konkretë drejt këtyre ndryshimeve, pavarësisht se ato mbeten kusht kyç për avancimin drejt BE-së.