Sipas Aleancës për Shqiptarët, deklarata e fundit e euroambasadorit Rokas konfirmon se Qeveria nuk ka arritur rezultate konkrete në procesin eurointegrues. Afatet e vendosura kanë kaluar, por qytetarët ende dëgjojnë vetëm arsyetime dhe interpretime diplomatike.
ASH thekson se Qeveria premtoi përshpejtim të rrugës evropiane, por solli stagnim. Në vend të hapjes së kapitujve negociues, vendi pret raportin e radhës. Në vend të reformave të vërteta, qytetarëve u ofrohet propagandë.
Partia vë në dukje se partnerët shqiptarë në Qeveri mbajnë përgjegjësi të drejtpërdrejtë për këtë dështim. Ata, sipas ASH-së, nuk mund të fshihen pas deklaratave të përgjithshme, pasi premtuan Evropë dhe tani heshtin para bllokadës.
Aleanca për Shqiptarët kërkon përgjegjësi politike, reforma reale dhe kthim të seriozitetit në agjendën evropiane të vendit. Ajo thekson se rruga drejt Bashkimit Evropian ndërtohet me punë, vendime dhe guxim politik, jo me fjalë.