Zake Prelvukaj argumentoi se vepra artistike ruan një të vërtetë të pazëvendësueshme, duke tejkaluar dokumentin e shkruar. Ajo nënvizoi rëndësinë e hulumtimit dhe njohjes së historisë së artit, duke theksuar se arti bashkëkohor në Kosovë ka filluar në vitin 1967.
Renea Begolli foli për përgjegjësinë e artistëve ndaj publikut dhe nevojën që ky i fundit të interesohet më shumë për prejardhjen e veprave. Sipas Begollit, artistët duhet të jenë më të kujdesshëm me narrativat që shpalosin dhe të ndërtojnë një diskurs më të qasshëm për publikun. Ajo shtoi se mbijetesa si artiste e pavarur, duke u fokusuar te kuptimi dhe jo te profiti, mbetet një sfidë.
Kuratoret Hana Halilaj dhe Nita Salihu diskutuan për botimet artistike, arkivimin dhe rolin e institucioneve. Halilaj theksoi rëndësinë e bashkëpunimit me artistët në procesin e botimeve dhe paralajmëroi se pa institucione mbrojtëse, humbin narrativat dhe historitë e margjinalizuara. Salihu shprehu dëshirën për të dokumentuar më thellë procesin krijues, duke kaluar përtej prezantimit bazik të veprës, dhe kritikoi mungesën e investimeve nga Ministria e Kulturës në këtë aspekt.
Këto diskutime ishin pjesë e programit festiv të 16-vjetorit të “Kosovo 2.0”, i cili trajtoi edhe çështje mjedisore dhe mediatike.