Profesor Artan Fuga i bëri thirrje Kuvendit të Shqipërisë të shpallë afatet e vetëshpërndarjes. Kjo thirrje vjen ndërsa vendi përballet me protesta të vazhdueshme prej 38 ditësh, të cilat kërkojnë dorëheqjen e kryeministrit Edi Rama dhe largimin e qeverisë.
Nëpërmjet një reagimi publik, Fuga deklaroi se një veprim i tillë do të dëshmonte se deputetëve u ka mbetur ende një fije përgjegjësie. Ai kritikoi ashpër funksionimin e institucioneve parlamentare, duke u bazuar në përvojat e tij personale.
Fuga rrëfeu përballjen me mungesë përgjegjësie, rreshtim partiak dhe mungesë kompetencash profesionale gjatë pjesëmarrjes në komisione kuvendore për çështje si kultura, shkenca, arsimi dhe rinia. Këto përvoja, sipas tij, e shtynë disa vite më parë të refuzonte pjesëmarrjen në mbledhje të tilla, pasi i konsideronte të kota.