Programi i ri arsimor policor do të zhvillohet në kuadër të Akademisë Policore në Idrizovë. Nxënësit do të qëndrojnë në konvikt dhe do të ndjekin mësim profesional dhe të përgjithshëm, nën moton “Veshe uniformën me krenari!”.

Të drejtë aplikimi kanë nxënësit që kanë përfunduar vitin e dytë të arsimit të mesëm katërvjeçar. Kushtet për aplikim përfshijnë njohjen e gjuhës maqedonase, gjendje të mirë shëndetësore, aftësi psikofizike dhe sukses të përgjithshëm të paktën “mirë”.

Procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet në tri faza: testim i aftësive motorike, test me shkrim dhe intervistë. Pas përfundimit të këtyre fazave, do të hartohet lista përfundimtare e renditjes sipas pikëve të fituara.

Pas përfundimit me sukses të shkollimit dhe dhënies së provimit të maturës shtetërore, Ministria e Punëve të Brendshme do t’u sigurojë të diplomuarve vend pune si policë. Kjo masë pritet të rrisë interesimin për konkursin.