Ish-zëvendësdrejtori i Kadastrës së Dibrës, Danjel Gjura, u arrestua nga policia të martën mbrëma, pas rreth një muaji në arrati. Akuzat ndaj tij përfshijnë “Mashtrim” dhe “Falsifikim të dokumenteve”. Gjura ka mbajtur më parë edhe postin e drejtorit të Kadastrës Dibër.

Ky arrestim vjen pas zbardhjes së një skeme kriminale për falsifikim dokumentesh pronësie. Policia e Dibrës njoftoi më 17 qershor se pas një hetimi shtatë-mujor, u identifikua një skemë ku implikoheshin tetë zyrtarë të tjerë të Kadastrës dhe një notere. Falsifikimi i dokumenteve synonte përfitimin e një prone nga shtetasi Teshar Doçi, i cili u arrestua bashkë me një familjar të tij. Gjykata e Dibrës caktoi masën e sigurisë “Detyrim paraqitje” edhe për bashkëshorten e Teshar Doçit.

Përveç funksioneve drejtuese në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës (ASHK) Dibër, Danjel Gjura ishte edhe kandidat për deputet në zgjedhjet e vitit 2025, nën siglën e Partisë Socialiste.