Seksioni për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Rinas dhe Autoritetet Doganore, finalizuan operacionin policor të koduar “Suitcases”. Ky operacion goditi një tentativë për trafikim të rreth 46 kilogramë lëndë narkotike kanabis sativa, e cila dyshohet se po transportohej nga Kanadaja drejt Shqipërisë.

Gjatë kontrolleve u zbuluan dy valixhe, brenda të cilave ndodheshin 89 paketime të mbyllura me lëndë narkotike në formën e xhelatinës. Sasia e sekuestruar ka një vlerë tregu prej rreth 250 mijë eurosh.

Në kuadër të këtij operacioni, u arrestua 34-vjeçari Kristian Gjoni. Gjithashtu, u proceduan penalisht në gjendje të lirë dy shtetase, A. Gj., 31 vjeçe, dhe L. Sh., 40 vjeçe. Hetimet vazhdojnë për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë në këtë aktivitet kriminal.