Policia e Ferizajt arrestoi sot, më 4 korrik, personin me inicialet R.Gj., i dyshuar për veprën penale “Shtrëngim”. Ai u lokalizua dhe u arrestua në një pikëkalim kufitar.

Rasti filloi pas raportimit se një person kishte komunikuar me një të mitur përmes llogarive të rreme në rrjetet sociale. I dyshuari dyshohet se e ka kanosur të miturin me publikimin e fotografive. Raportimi fillestar u bë më 26 qershor.

Hetuesit e stacionit policor në Ferizaj, pas veprimeve intensive hetimore dhe në koordinim me prokurorin e shtetit, arritën të identifikonin të dyshuarin. Pas intervistimit, R.Gj. u ndalua për 48 orë me vendim të prokurorit. Hetimet për rastin vazhdojnë.