Një punonjës policie dhe dy shtetas të tjerë u arrestuan në Fushë-Krujë si rezultat i operacionit të koduar "Basti i Fundit". Arrestimet u kryen për organizimin e paligjshëm të lojërave të fatit dhe vepra të tjera penale.

Lutfi Dervishi, ndihmës specialist i Policisë në Komunitet për Fushë-Krujën, u arrestua nën dyshimet për "Shpërdorim detyre" dhe "Organizim ose ushtrim i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin". Gjatë kontrollit në banesën e tij, u gjetën dhe sekuestruan 119 fishekë model 9mm.

Gjithashtu, Sabah Stafuga dhe Fatmir Stafuga, banues në Arrameras të Fushë-Krujës, u arrestuan për "Organizim ose ushtrim i veprimtarive të lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin" dhe "Prodhimi dhe shitja e narkotikëve".

Gjatë kontrolleve, u sekuestruan katër makineta elektronike lojërash fati, dy serverë kompjuterikë, një pajisje DVR, 11 qese me lëndë të dyshuar narkotike (me peshë totale 6.63 gramë) dhe tre aparate celulare. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka theksuar se hetimet vazhdojnë për dokumentimin e plotë të kësaj veprimtarie kriminale dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.