Tre persona, Granit Pepnika (29 vjeç), Xhoni Hitaj (31 vjeç) dhe Redion Rexhmati (28 vjeç), u arrestuan ditën e sotme në Drimadhë nga Policia e Vlorës. Arrestimet u kryen gjatë operacionit policor “Rrjetet”, i cili kishte në fokus persona të kërkuar për mashtrime me skema call center-ash.

Granit Pepnika dhe Xhoni Hitaj ishin shpallur në kërkim nga Gjykata e Tiranës, e cila kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprën penale “Mashtrimi kompjuterik”. Ata dyshohen për përfitim të shumave të mëdha monetare. Ndërhyrja policore u realizua nga efektivë të veshur me rroba plazhi.

Gjatë kontrollit në vilën ku qëndronin të arrestuarit, policia sekuestroi një armë zjarri pistoletë dhe një sasi lënde narkotike, e dyshuar si cannabis sativa. Redion Rexhmati u arrestua në flagrancë për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.