MPJD-ja i është drejtuar partnerëve ndërkombëtarë për të ushtruar ndikim mbi autoritetet serbe, me qëllim lirimin e Selmanit dhe trajtimin e drejtë të rastit. Arrestimi i shtetasve të Kosovës në Serbi, nën pretendime për krime lufte, konsiderohet veprim arbitrar, pa bazë ligjore dhe me prapavijë politike nga Ministria.

Osman Selmani u arrestua të mërkurën në pikën kufitare në Mutivodë, nën dyshimin për krime lufte. Serbia pretendon se ai bashkëpunoi në vrasjen e çiftit Vladimir dhe Persa Stanisavljeviq në Prishtinë më 14 qershor 1999. Megjithatë, djali i Selmanit, Arbeni, deklaroi se familja ishte në Maqedoni në atë kohë, pasi ishin dëbuar nga forcat serbe.

Zyra Ndërlidhëse e Kosovës në Serbi ka kërkuar informacion të plotë nga Qeveria e Serbisë për arrestimin, arsyet e ndalimit, trajtimin dhe vendndodhjen. Gjithashtu, është kërkuar zyrtarisht lejimi i vizitës së Ambasadorit Jetish Jashari tek Selmani në qendrën e paraburgimit.