Në Serbi, në pikëkalimin kufitar në Mutivodë, u arrestua më 1 korrik Osman Selmani. Për të u caktuan 30 ditë paraburgim. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK) sqaroi të premten se Selmani nuk ka qenë pjesë e UÇK-së.
OVL-UÇK bën thirrje që të gjithë mërgimtarët të shmangin kalimin tranzit përmes Serbisë, sidomos tani gjatë periudhës së pushimeve. Nënkryetari i OVL-UÇK, Gazmend Syla, theksoi se këto arrestime nuk janë ndalur që nga përfundimi i luftës dhe se qasja e Serbisë nuk ka ndryshuar ndër vite.
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, paralajmëroi se mërgimtarët, numri i të cilëve rritet ndjeshëm gjatë korrikut dhe gushtit, mund të jenë në shënjestër të strukturave të sigurisë serbe. Ai shtoi se autoritetet serbe kanë mbledhur të dhëna për persona që kanë kaluar më herët në territorin e tyre dhe kanë krijuar dosje. Në tetë vitet e fundit janë ndaluar 15 kosovarë me akuza të ngjashme.