Në shtëpitë e personave të plagosur pas përleshjes me armë zjarri në sheshin “Bulevardi i Dëshmorëve” në Podujevë, Policia e Kosovës ka sekuestruar armë, karikatorë dhe një sasi të konsiderueshme municioni. Bastisjet u kryen me urdhër të prokurorit të rastit.

Në vendngjarje, policia gjeti dhe sekuestroi tri armë zjarri dhe 28 gëzhoja. Gjatë bastisjeve në pronat e të dyshuarve, u zbuluan dhe sekuestruan dy karikatorë me 58 fishekë, dy karikatorë të tjerë me 27 fishekë, dy armë të shkurtra me 82 fishekë dhe një armë gjuetie me 49 fishekë. Rasti po i nënshtrohet procedurave të mëtejshme hetimore.

Katër personat e plagosur, përfshirë tre të dyshuar, po marrin trajtim mjekësor në klinika të QKUK-së. Prokuroria Themelore në Prishtinë njoftoi se do të kërkojë masë paraburgimi për të dyshuarit, pas stabilizimit të gjendjes shëndetësore të tyre. Dy prej të dyshuarve, A.Xh. dhe F.Z., janë intervistuar dhe ndaluar me vendim të Prokurorit të Shtetit, ndërsa një i dyshuar i tretë me inicialet F.Z. ende nuk është intervistuar për shkak të gjendjes së rëndë shëndetësore. Ata dyshohen për veprën penale “Vrasja e rëndë në tentativë”.

Një kalimtar i rastit, i plagosur gjatë incidentit, iu nënshtrua një operacioni dhe po vazhdon trajtimin në Klinikën e Kirurgjisë Maksilofaciale. Gjendja e përgjithshme e të plagosurve është stabile, sipas mjekëve të QKUK-së.