Aplikimet për universitetet në Shqipëri fillojnë më 27 korrik dhe përfundojnë më 1 gusht 2026. Maturantët do të kenë mundësi të konkurrojnë në tre raunde për vendet e dëshiruara të studimit.
Para aplikimit, çdo maturant duhet të paguajë një tarifë prej 2 mijë lekësh, e cila mund të kryhet nga data 3 deri më 26 korrik. Aplikimet do të bëhen përmes portalit U-Albania, ku kandidatët mund të zgjedhin deri në 10 programe studimi.
Pas 20 korrikut, në sistem do të shfaqen notat e tri viteve të gjimnazit dhe rezultatet e Maturës Shtetërore. Maturantët duhet t'i verifikojnë këto të dhëna përpara se të nisin aplikimin. Aplikimi mund të bëhet nga çdo pajisje me internet, ndërsa ata që kanë nevojë për asistencë, mund të përdorin ambientet e shkollave të mesme. Pas konfirmimit, të dhënat nuk mund të ndryshohen.
Procesi i regjistrimeve do të zhvillohet në tre raunde. Raundi i dytë është planifikuar nga 15 deri më 17 shtator 2026, ndërsa raundi i tretë nga 8 deri më 21 tetor 2026. Studentët kanë të drejtë të çregjistrohen brenda dy ditësh pas çdo raundi, nëse dëshirojnë të ndryshojnë program studimi.