Ankesat, të depozituara para afatit të fundit, synojnë rivlerësimin e rezultatit. Kandidati i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka konfirmuar dorëzimin e ankesës së tij, duke pretenduar parregullsi në numërimin e votave për kandidatët e partisë dhe duke kërkuar rinumërim. Kërkesa e tij është refuzuar disa herë më parë.
Edhe Lista Serbe ka paraqitur ankesë në Gjykatën Supreme. Partia argumenton se vendimi i PZAP-së nuk e mohon zgjedhjen e Nenad Rashiqit si deputet me votat e shqiptarëve. Ajo thekson se kjo situatë cenon të drejtën kushtetuese të popullit serb për përfaqësim autentik, duke marrë parasysh se vendet e rezervuara janë krijuar për mbrojtjen e kësaj të drejte.
Ky është afati i fundit për ankimimin e rezultatit të zgjedhjeve. Në rast se Gjykata Supreme i refuzon këto ankesa, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet të certifikojë rezultatet javën e ardhshme. Kjo do të hapte rrugën për betimin e deputetëve të rinj dhe krijimin e Legjislaturës së XI-të të Kuvendit të Kosovës.