Një anije cisternë u godit nga një predhë gjatë natës, 8 milje detare larg brigjeve të Omanit. Agjencia britanike e sigurisë detare UKMTO raportoi incidentin, i pari i këtij lloji në Ngushticën e Hormuzit që nga nisja e ceremonive mortore për Ajatollah Ali Khamenei.
Burime të ndryshme konfirmuan se anija e goditur ishte një tanker i Katarit që transportonte gaz natyror të lëngshëm. Ekuipazhi rezulton i sigurt, ndërsa dhoma e motorëve përfshiu flakë dhe tym. Raportime të tjera sugjerojnë se Irani qëlloi dy anije.
Ky incident vjen në një kohë kur Irani përballet me presion pas vrasjes së Khameneit. Gjatë procesioneve mortore, miliona iranianë u zotuan për hakmarrje. Disa mbanin pankarta me thirrje kundër presidentit Trump.
Lufta është ndalur me një marrëveshje të përkohshme paqeje të arritur muajin e kaluar, e cila parashikon një periudhë 60-ditore për negociata drejt një marrëveshjeje të përhershme. Raundi i fundit i bisedimeve indirekte në Katar përfundoi pa progres. Presidenti Trump ka kërcënuar vazhdimisht me rifillimin e bombardimeve, duke deklaruar se ose do të arrihet një marrëveshje, ose “do ta përfundojmë punën” pa hezitim.