Profesor Artan Fuga analizon thellësisht shkaqet e revoltës qytetare në Shqipëri. Ai argumenton se ndërgjegjja kolektive e fyer dhe e revoltuar nuk u krijua menjëherë, por u ngjiz gradualisht, duke zëvendësuar iluzionet e hershme pas diktaturës. Realiteti social, në kundërshtim me propagandën, forcoi pakënaqësinë popullore.

Faktet si zbrazja demografike, rrënimi i shkollimit, degradimi i infrastrukturave prodhuese, ngecja në integrimin evropian, manipulimi i zgjedhjeve, degradimi i kujdesit shëndetësor dhe papunësia, ushqyen këtë ndjenjë. Emigracioni shërbeu si urë, duke u treguar shqiptarëve jetën dinjitoze dhe liritë qytetare në Evropë, në kontrast me atë që ofronte klasa politike në Shqipëri.

Rrjetet sociale dëshmuan fuqinë e tyre si platforma ku populli mund të shprehte hallet. Pavarësisht funksionit ligjërues të opozitës në Kuvend, korrupsioni i shfaqur, si dhe legjislacioni antikonsitucional që zhvlerëson votën, rritën revoltën. Skandalet e korrupsionit dhe jeta luksoze e “shërbëtorëve të popullit” me rroga stratosferike, ndërsa qytetarët ndihen të braktisur dhe keqpërdorur në spitale, farmaci dhe zyra shtetërore, kanë radikalizuar pakënaqësinë. Fuga thekson se qytetarët kuptuan se pushteti i kishte braktisur, duke lënë si rrugëdalje të vetme revoltën.