Rreth 19 mijë nxënës i janë nënshtruar Testit të Maturës. Prej tyre, 45 nxënës nuk morën rezultatet pasi u përfshinë në kopjim. Gjithashtu, 10 monitorues u përjashtuan nga procesi i administrimit të testit.

Fatmir Elezaj, udhëheqës i Divizionit për Vlerësim, Standarde dhe Monitorim në Ministrinë e Arsimit, bëri të ditur se 34 nxënës u përjashtuan ditën e testit nga administruesit. Edhe 11 nxënës të tjerë u identifikuan pas verifikimit të bisedave në grupe të Viberit, duke mos u publikuar rezultatet e tyre.

Pavarësisht rasteve të identifikuara, deri më tani nuk është shqiptuar asnjë gjobë. Ligji për Maturën Shtetërore parashikon gjoba për persona fizikë nga 1 mijë deri në 2 mijë euro, ndërsa për persona juridikë nga 5 mijë deri në 20 mijë euro. Elezaj theksoi se masat e tjera i mbeten inspektoratit nëse gjenden argumente për shkelje më të rënda nga monitoruesit.

Njohësi i arsimit, Xhavit Rexhaj, e konsideroi problemin e mungesës së zbatimit të sanksioneve si një mesazh pandëshkueshmërie. Ai kërkoi që Ministria e Arsimit të profesionalizojë procesin e administrimit të testeve, duke krijuar një trupë administratorësh të dedikuar. Kjo do të mundësonte trajnimin, mbikëqyrjen dhe zhvillimin e tyre, duke siguruar një fushëveprim më të qartë dhe të sigurt për Ministrinë. Përmbajtja e Testit të Maturës u shpërnda në rrjetet sociale dy javë më parë, bashkë me përgjigjet në grupe komunikimi online. Një situatë e ngjashme u shënua edhe me Testin e Arritshmërisë.