Ambasada e Federatës Ruse në Shqipëri i ka cilësuar si “krejtësisht të pabaza” pretendimet për ndikim në protestat e zhvilluara në vend. Kjo deklaratë zyrtare pasoi komentet e Ministrit të Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, si dhe të kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.
Ambasada shprehu habi për deklaratat e zyrtarëve dhe publikimet mediatike që përsëritnin të njëjtin narrativ. Ajo theksoi se Rusia ndjek parimin e mosndërhyrjes në punët e brendshme të shteteve të tjera, duke respektuar zgjedhjet e popujve dhe duke bashkëpunuar me qeveritë e zgjedhura në mënyrë legjitime.
Sipas Ambasadës Ruse, kjo nuk është hera e parë që politikanë shqiptarë përpiqen t’i atribuojnë Rusisë një “ndikim dashakeq” në zhvillimet politike të Shqipërisë. Ambasada bëri thirrje për një qasje më të përgjegjshme ndaj deklaratave të tilla.