Një fushatë financiare në platformën GoFundMe ka mbledhur mbi 95 mijë euro për familjen e Altin Hilës, protestuesit që u arrestua pas përplasjeve para Parlamentit. Kjo nismë u organizua në shenjë mbështetjeje pas arrestimit të Hilës.

Hila kishte marrë pjesë për 32 ditë radhazi në protestat në Tiranë, duke qenë i shoqëruar nga djali i tij, i cili ka status invaliditeti. Pamjet e publikuara tregonin Hilën duke ushqyer djalin e tij me shiringë gjatë protestës.

Organizatorët e fushatës theksuan se familja Hila kishte vështirësi ekonomike prej kohësh dhe se arrestimi i zotit Hila, i shoqëruar nga akuza për dhunë nga Policia e Shtetit, e rëndoi edhe më shumë gjendjen e familjes. Ata shtuan se shteti nuk e kishte mbështetur financiarisht familjen ndër vite, duke lënë Altin Hilën në një situatë edhe më të vështirë për shkak të mungesës së tij pranë familjes pas arrestimit.