Albion Nikolli u lirua të shtunën nga qelia pas disa ditësh arrestimi, pas protestës së zhvilluar të enjten para Kuvendit. Nikolli pretendoi se ai dhe protestues të tjerë janë dhunuar nga efektivë të policisë gjatë arrestimit dhe më pas në ambientet e policisë.
Ngjarja, sipas tij, nisi rreth orës 14:00, kur ai kërkonte informacion për një protestues të ndaluar. Ai deklaroi se pas kërkesës, u dha urdhri "Kapeni këtë!" dhe disa prej tyre u arrestuan. Arrestimi ishte i dhunshëm dhe ata u goditën, megjithëse nuk bënë rezistencë.
Nikolli shtoi se protestuesi Arbër Lleshi është goditur edhe pasi ishte prangosur, brenda automjetit të policisë, nga një person civil. Ai gjithashtu pretendoi se asnjë prej të arrestuarve nuk mori ndihmë mjekësore dhe nuk iu nënshtrua ekspertizës mjeko-ligjore, pavarësisht dëmtimeve të pretenduara. Nikolli u shpreh se kishte shenja dhune në trup, ashtu si edhe të tjerë.