Vepra “De-Life” trajton tema të vetmisë, izolimit, humbjes dhe shkëputjes nga rrënjët, duke reflektuar mbi tjetërsimin emocional dhe social. Instalacioni është vendosur në hapësirën historike “Christ-König” në Bochum, një prej 12 vendeve ekspozuese të “Manifesta” 16, që zhvillohet nga 21 qershori deri më 4 tetor.

Hamiti shpjegon se vepra ka lindur nga vëzhgimi se vetmia dhe tjetërsimi emocional janë bërë një realitet i dukshëm shoqëror, siç dëshmohet nga emërimi i komisionerëve për vetminë në qytete si Berlini. Ajo thekson se titulli “De-Life” i referohet një gjendjeje tjetërsimi, duke aluduar në përvojat e derealizimit dhe depersonalizimit.

Për artisten, identiteti nuk është një përkufizim i ngurtë, por një territor në lëvizje i formësuar nga migrimi. Ajo ndien se ka zhvilluar një identitet që bashkon kulturën e saj të origjinës dhe atë gjermane, duke zënë një hapësirë reflektimi mes tyre.

Pjesëmarrja në “Manifesta” 16 përbën një mundësi të rikthyer për Hamitin, pasi ajo nuk mundi të merrte pjesë në edicionin e 14-të të bienales, organizuar në Prishtinë në vitin 2022, për arsye personale. Këtë vit, bienalja evropiane nomade eksploron transformimet ekonomike, migrimin, kujtesën kolektive dhe ndjenjat e tjetërsimit në rajonin Ruhr, dikur një qendër e industrisë së rëndë.