Zoti Albanese u kritikua ashpër pasi u përgjigj në një lojë provokuese gjatë paraqitjes në podcastin “Bush Deep”. Gjatë intervistës, ai u pyet se cilën do të zgjidhte mes Kylie Minogue, Nicole Kidman dhe Rhonda Burchmore për një lojë me tre opsione: “me kë do të dilje, me kë do të martoheshe dhe me kë do të kishe një lidhje intime”.

Fillimisht, kryeministri tentoi të shmangte pyetjen, duke përmendur martesen e tij të fundit. Megjithatë, pasi moderatorja këmbënguli, ai u përgjigj: “Ah, Kylie, pa dyshim”. Kur u pyet më tej nëse do t’i bënte të gjitha opsionet me Minogue, Albanese u përgjigj “Të gjitha këto. Ajo është e mrekullueshme”.

Këto komente shkaktuan reagime të forta në Australi. Deputetja e pavarur Zali Steggall i quajti ato “krejtësisht të papërshtatshme” dhe tha se kryeministri duhet ta kishte refuzuar pyetjen si seksiste. Ministrja për Komunikimet, Sarah Henderson, i konsideroi komentet si “mungesë respekti ndaj grave, të turpshme për australianët dhe cenuese për dinjitetin e postit të kryeministrit”.

Pas valës së kritikave, Albanese lëshoi një deklaratë të shkurtër ku kërkoi falje. “Kërkoj falje pa asnjë rezervë për komentet e mia,” tha ai. Intervista ishte incizuar në rezidencën zyrtare të kryeministrit në Canberra dhe u publikua javën e kaluar.