Agron Arifi, nga iniciativa “Më Mirë për Tetovën”, ka kritikuar ashpër pushtetin lokal të Tetovës, duke pretenduar se po shfrytëzohet debati publik për emrat e rrugëve për të kaluar në heshtje vendime të rëndësishme lidhur me menaxhimin e hapësirave publike. Arifi deklaroi në një konferencë për media se këto veprime synojnë dhënien e rrugëve dhe trotuareve në lagje të caktuara të Tetovës kompanive private, përmes koncesionit ose partneritetit publiko-privat.
Sipas Arifit, kjo strategji krijon konkurrencë të padrejtë ndaj Ndërmarrjes Publike “Parkingu i Qytetit”, e cila po përballet me humbje financiare. Ai ngriti dyshime se humbjet mund të jenë të qëllimshme, si justifikim për përfshirjen e sektorit privat, duke paralajmëruar për një fat të ngjashëm me NPK Tetova. Arifi i kërkoi kryetarit Kasami të shpjegojë arsyet e performancës së dobët të ndërmarrjes publike.
Ai gjithashtu u bëri thirrje këshilltarëve të shumicës VLEN-VMRO të rishikojnë qëndrimin e tyre, duke theksuar se këto vendime do të mbahen mend si “shitje e pronës publike”. Arifi e pyeti kryetarin Kasami nëse “shitja e pasurisë publike që konsiderohet vakëf për qytetarët” është e moralshme. Këto deklarata vijnë në një kohë kur Komuna e Tetovës është kritikuar edhe për shitjen jotransparente të tokës shtetërore ish-Monopolli.