Aktivisti Gent Progni ka rrëfyer eksperiencën e tij me dhunë dhe intimidim gjatë një proteste të zhvilluar ditën e enjte pranë Kuvendit. Progni deklaroi se u përball me provokime nga deputeti i Partisë Socialiste, Ulsi Manja, i cili e kishte etiketuar atë si “hajdut”. Pas këtij momenti, Progni thotë se u dhunua nga një person që e identifikon si truprojën e deputetit, por që nuk rezulton të jetë pjesë e Gardës apo Policisë.

Progni po ashtu theksoi se kishte pasur episode intimidimi ndaj tij dhe protestuesve të tjerë nga persona të veshur civilë, të cilët përdornin justifikime të ndryshme. Ai shtoi se në momentin e shoqërimit, i ishte thënë se do të mbahej në komisariat derisa t’i zhdukeshin shenjat fizike të shkaktuara nga dhuna.

Aktivisti tregoi se ishte përgatitur për një ngjarje të tillë disa ditë më parë, pasi kishte parë një mesazh në grupin e PS-së që kërkonte praninë e deputetëve në Parlament herët në mëngjes. Ai kishte komunikuar me shokët e tij për të shkuar në protestë që në orën 8. Progni përmendi se Kuvendi ishte rrethuar me kangjella në dy perimetra.

Ai tha se qytetarët ishin intimiduar nga civilët me justifikimin se ishte vjedhur një biçikletë dhe duhej të bëheshin kontrolle. Progni dëshmoi se kur shkuan te qendra tregtare “Toptani”, rojet e sigurisë i kishin thënë se qendra ishte bllokuar dhe dyert e emergjencës ishin vendosur me hekura, duke prekur sigurinë e qendrës.

Pasi ishin ulur në një lokal pranë Kuvendit, Progni tha se deputeti Ulsi Manja e kishte ofenduar. Si pasojë, kishte nisur një breshëri vezësh. Pas kësaj, shefi i Komisariatit 4 dhe dy oficerë kishin urdhëruar arrestimin e tij. Në këtë moment, Saimir Koka, i cilësuar si truproja i Ulsi Manjës, por i paidentifikuar si punonjës policie apo i Gardës, e kishte goditur Progni në syrin e djathtë.