Arbër Lleshi, aktivist, denoncoi dhunën e pretenduar nga forcat policore. Ai u shpreh se një person civil e ka dhunuar dhe kërcënuar brenda automjetit të policisë, duke i thënë: “Jam gangster i gangsterave, do t’jua mbyll gojën me ngjitëse”. Lleshi po ashtu deklaroi se nuk i është ofruar ndihmë mjekësore për katër ditë, pavarësisht dëmtimeve.
Aktivisti tregoi se gjatë ndalimit, dy efektivë me uniformë dhe një person civil e kanë goditur dhjetëra herë. Ai hodhi poshtë akuzat për dhunë nga ana e tij, duke theksuar mungesën e filmimeve që vërtetojnë këtë. Lleshi u mbajt për 72 orë me akuzat për kundërshtim, shkatërrim automjetesh dhe organizim tubimesh të paligjshme, akuza që prokuroria i ka dërguar në gjykatë.
Lleshi shpjegoi se nuk ishte njoftuar për arrestim, por vetëm për shoqërim. Pas disa metrash, ai u shtri përtokë dhe u godit me shkop gome e shkelma. Ai arriti të paraqitej në Mjekësinë Ligjore vetëm sot, katër ditë pas ngjarjes, dhe do ta ndjekë çështjen penalisht, duke e konsideruar të patolerueshme mungesën e ndihmës mjekësore.