Trupi Gjykues argumentoi se shtyrja është e domosdoshme për shkak të kompleksitetit të çështjes dhe sasisë së madhe të provave. Dosja përfshin dëshmi nga 270 dëshmitarë, 5467 prova materiale dhe 29.238 faqe transkripta gjykimi. Ky zgjatim synon të garantojë një vlerësim tërësor dhe të drejtë të provave, si dhe një arsyetim të saktë me shkrim.
Avokati Artan Qerkini e konsideroi shtyrjen të paarsyeshme, duke theksuar se trupi gjykues ka pasur kohë të mjaftueshme. Ai theksoi shkeljen e parimit të gjykimit brenda afatit të arsyeshëm, veçanërisht duke pasur parasysh që të pandehurit ndodhen në paraburgim.
Një tjetër avokat, Skënder Musa, ndonëse e cilësoi shtyrjen të drejtë për shkak të volumit të materialit, kërkoi shqyrtimin e masës së paraburgimit për ish-krerët e UÇK-së. Të pandehurit janë nën masën e paraburgimit që nga viti 2020, ndërsa gjykimi nisi në prill 2023.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar dënime me burgim prej 45 vjetësh ndaras për secilin nga katër të akuzuarit për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, ndërsa avokatët mbrojtës kanë kërkuar lirimin e tyre.