Katër zyrtarë komunalë dhe dy pronarë operatorësh ekonomikë akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe mashtrim në prokurim publik. Aktakuza detajon pagesa të miratuara për rrugë që nuk u ndërtuan plotësisht ose aspak, duke shkaktuar dëm buxhetit komunal.
D.M. dhe A.K., në cilësinë e menaxherit të kontratës dhe mbikëqyrësit, akuzohen se miratuan pagesën e 29,458.20 eurove për rrugët "Fejzë Koliqi – Gashi", "Smajl Sadria" dhe "Isuf Meta" në Javor. Rruga "Fejzë Koliqi – Gashi" nuk u ndërtua fare, duke sjellë një përfitim të kundërligjshëm prej 9,050 euro për operatorin ekonomik.
Po ashtu, E.SH. dhe I.H., në role të ngjashme, miratuan pagesa prej 17,124.10 eurosh për rrugët "Hafir Gashi" dhe "25 Gushti" në Javor, si dhe "Osman Dalipi" në Luzhnicë, ndonëse rrugët e para nuk ishin ndërtuar. Kjo i mundësoi operatorit ekonomik një përfitim prej 6,439.82 eurosh.
XH.K. dhe A.S., si persona përgjegjës të operatorëve ekonomikë, akuzohen se nuk realizuan punimet e parapara, por paraqitën dokumentacion fals sikur punimet kishin përfunduar. Ata përfituan mjete publike në mënyrë të kundërligjshme, duke dëmtuar buxhetin e Komunës së Suharekës.
Prokurori ka kërkuar nga gjykata që të pandehurit të shpallen fajtorë, të dënohen dhe t'u ndalohet ushtrimi i funksioneve në shërbimin publik.